Where the world comes to study the Bible

Të Kuptuarit e Kontekstit Teologjik të Dishepullimit Biblik

Ne pamë në leksionin e parë se të qenit një dishepull i Krishtit përfshin të qenit i thirrur për të qëndruar me të dhe për ta njohur atë, si dhe për ta ndjekur atë dhe të bërit e dishepujve nga njerëzit e tjerë. Tani, është e arsyeshme për të kërkuar për një kontekst më të gjerë për këtë detyrë. Ku futet kjo në planin e përgjithshëm të Perëndisë? Në dy leksionet e ardhshme ne do të shikojmë kontekstet më të mëdha teologjike dhe të lidhura me thirrjen e Krishtit për dishepullim. Është thelbësore për ta kuptuar këtë dhe për të qenë i përkushtuar ndaj saj, në mënyrë që kur kohët bëhen të vështira – dhe ato do të bëhen – ne nuk kemi pse të jemi konfuzë dhe të dekurajuar në mënyrë të panevojshme për punën e Tij në jetën tonë dhe në botë. Do të të duhet të harxhosh kohë për t’ia mësuar dishepujve të tij këtë. Ashtu si unë dhe ti, edhe ata duhet ta kuptojnë dhe besojnë atë.

IA. Konteksti Teologjik: Plani i Perëndisë – “Një Popull për Emrin e Tij”

1B. Përparimi i Mbretërisë së Perëndisë dhe Dishepullimi

1C. Besëlidhja me Abrahamin

Qëllimi i përmendjes këtu të besëlidhjes me Abrahamin është se ajo demonstron atë që plani i Perëndisë përqëndrohet te bekimi i njerëzve; kjo është çfarë ai është. Kjo është çfarë dishepullimi është. Përfshin bekimin e njerëzve me qëllim.

Perëndia i premtoi Abrahamit shumë gjëra të mrekullueshme, duke përfshirë farën (një komb që do të dilte prej tij) një tokë për të jetuar, bekimin personal të një emri dhe reputacioni të ngritur lart dhe nëpërmjet tij të bekonte të gjithë botën. Pra, që nga fillimi plani i Perëndisë ka qenë për të bekuar njerëzit. Ky plan mori një kthesë vendimtare personale (me një shtrirje universale) në marrëdhënien e Perëndisë me Abrahamin. Besëlidhja me Abrahamin na përgatit për të gjitha marrëdhëniet e ardhshme të Perëndisë me njerëzit, duke hedhur në formën e një farishteje themelin për besëlidhjen me Davidin dhe për besëlidhjen e Re, siç edhe do ta shikojmë. Përpara se të shikojmë ato, dhe se si lidhen ato me besëlidhjen e Abrahamit dhe të Davidit, dhe dishepullimin, na duhet që të themi diçka të shkurtër për Ligjin e Moisiut.

Zanafilla 12:1 Por Zoti i tha Abramit: “Largohu nga vendi yt, nga të afërmit e tu dhe nga shtëpia e babait tënd, dhe shko në vendin që do të të tregoj. 12:2 Unë prej teje do të bëj një komb të madh, do të të bekoj dhe do ta bëj të madh emrin tënd, dhe ti do të jesh një bekim. 12:3 Dhe unë do të bekoj të gjithë ata që do të të bekojnë dhe do të mallkoj ata që do të të mallkojnë, te ti do të jenë të bekuara tërë familjet e tokës”.

2C. Besëlidhja me Moisiun

Pasi kaloi një farë kohe që kur Perëndia i kishte dhënë Abrahamit dhe pasardhësve të tij besëlidhjen e Abrahamit, ai vendosi Ligjin në Izrael nëpërmjet Moisiut. Është e rëndësishme që të vërehet se marrëdhënia me Perëndinë, nëpërmjet hirit të tij, nënkupton që ne duhet të jetojmë sipas një mënyre të caktuar (p.sh. Titi 2:1-15, veç. vt. 11-12). Ne nuk mund të jetojmë sipas qejfit dhe pastaj të pretendojmë se e njohim Perëndinë (Titi 1:6). Jeta jonë e nxjerr në dritë gënjeshtrën. Pra, në harmoni me shenjtërinë e tij të përjetshme, Perëndia në hirin e tij ia zbuloi Ligjin Moisiut kështu që izraelitët të mund të kuptonin se çfarë do të thoshte që të ecje me dhe të jetoje për Perëndinë. Ligji nuk u dha atyre një marrëdhënie me Perëndinë, por përkundrazi, iu dha atyre për shkak se ata ishin në marrëdhënie me Perëndinë – Perëndia që i kishte çliruar (shpenguar) nga Egjipti. Të gjitha orientimet e tij ceremoniale dhe shoqërore ishin të përkohshme deri te flijimi i Krishtit dhe vetë ai – në tërësi – të drejtonte te Krishti (Rom. 3:21; Gal. 3:23-25). Standartet e shenjta të ligjit janë akoma në fuqi meqenëse u interpretuan dhe u zbatuan nga Zoti ynë dhe apostujt e tij (Mat. 5:18-20; Rom. 13:8-10). Për shembull, kërkesa për të “mos patur perëndi të tjerë para meje” siç u tha tek Eksodi 20:3, dhe të ndaluarit e idhujtarisë (Eksodi 20:4) u zbatuan në dishepullim nga pikëpamja e Zotërisë së Krishtit dhe adhurimit ekskluziv të denjë vetëm për Atë. Ne pamë te leksioni i parë që si pasues të Zotit tonë, duhet të kapemi fort te Ai dhe duhet të ndjekim vetëm atë. Ne nuk duhet të ndjekim perëndi të tjerë. Ne nuk duhet të flijojmë dhi, dele, etj, as edhe nuk duhet të ndahemi nga njerëzit mbi baza etnike, por duhet të bëjmë një jetë të shenjtë për Zotin. Ne nuk duhet të vjedhim, mashtrojmë, lakmojmë, vrasim, të kryejmë kurorëshkelje apo të keqpërdorim emrin e Zotit.

1D. Ligji i Përtërirë 4:13-14

4:13 Kështu ai ju shpalli besëlidhjen e tij, që ju porositi të respektoni, domethënë të dhjetë urdhërimet; dhe i shkroi mbi dy pllaka prej guri. 14:14 Dhe mua, në atë kohë, Zoti më urdhëroi t’ju mësoj statutet dhe dekretet, që t’i zbatoni në vendin ku jeni duke hyrë për t’u bërë zotër të tij.

2D. Galatasve 3:20-24

3:20 A thua atëherë ligji është kundër premtimeve të Perëndisë? Kurrsesi jo! Sepse po të ishte dhënë një ligj që mund të jepte jetë, drejtësia do të ishte me të vërtetë prej ligjit. 3:21 Por Shkrimi i mbylli të gjitha gjërat nën mëkatin, që t’u jepej besimtarëve premtimi nëpërmjet besimit të Jezu Krishtit. 3:22 Dhe, para se të vinte besimi, ne ruheshim nën ligjin, si të mbyllur, duke pritur besimin që duhej të zbulohej. 3:23 Kështu ligji qe mësuesi ynë për te Krishti, që ne të shfajësohemi me anë të besimit. 3:24 Por, mbasi besimi erdhi, ne nuk jemi më nën ndonjë mësues,

3D. Hebrenjve 8:11

Duke thënë “një besëlidhje e re”, ai e vjetëroi të parën; edhe ajo që vjetrohet dhe plaket është afër prishjes.

4D. Romakëve 13:8-10

13:8 Mos i kini asnjë detyrim askujt, përveç se ta doni njëri-tjetrin, sepse ai që e do tjetrin e tij e ka përmbushur ligjin. 13:9 Sepse urdhërimet: ``Mos shkel kurorë, mos vraj, mos vidh, mos thua dëshmi të rreme, mos lakmo’’, dhe në pastë ndonjë urdhërim tjetër, përmblidhen në këtë fjalë: ``Duaje të afërmin tënd porsi vetveten!’’. 13:10 Dashuria nuk i bën keq të afërmit; dashuria, pra, është përmbushja e ligjit.

3C. Besëlidhja me Davidin

Premtimi që iu dha Davidit ka të bëjë me farën, garancia e një froni dhe premtimi që një shtëpi/tempull do të ndërtohej për Jehovain. Pra besëlidhja e Davidit është në të vërtetë një zgjerim dhe zhvillim i besëlidhjes së Abrahamit, veçanërisht, në aspektin e farës. Garanton që bekimi i premtuar nga Perëndia për botën do të ishte gjithmonë i mundshëm nëpërmjet mbretit të zgjedhur ose të vajosur prej Tij. Pyetja që lind është, a do jenë në gjendje njerëzit ta pranojnë atë. Jeremia apo besëlidhja e Re i jep përgjigje kësaj pyetjeje.

1D. 2 Samuelit 7:12-13, 16

7:12 Kur t’i kesh mbushur ditët e tua dhe të jesh duke pushuar bashkë me etërit e tu, unë do të ngre mbas teje pasardhësit e tu që do të dalin nga barku yt dhe do të vendos mbretërinë tënde. 7:13 Ai do të ndërtojë një shtëpi në emrin tim dhe unë do ta bëj të qëndrueshëm për gjithnjë fronin e mbretërisë së tij… 7:16 Shtëpia jote dhe mbretëria jote do të bëhen të qendrueshme për gjithnjë para meje, dhe froni yt do të jetë i qëndrueshëm për gjithnjë”.

2D. Psalmi 89:29

Do t’i bëj gjithashtu pasardhësit e tij të përjetshem dhe fronin e tij si ditët e qiejve.

3D. Veprat 13: 32-33

13:32 Dhe ne po ju shpallim lajmin e mirë të premtimit që u qe bërë etërve, 13:33 duke ju thënë se Perëndia e ka përmbushur për ne, bij të tyre, duke ringjallur Jezusin, ashtu si dhe është shkruar në psalmin e dytë: “Ti je Biri im, sot më linde”.

4C. Besëlidhja e Re

Izraelitët, dhe duke iu shtuar të gjithë njerëzit (shiko Rom. 3:19-20), nuk kanë asnjë lloj mundësie për të respektuar Ligjin e shenjtë të Perëndisë. Besëlidhja e Moisiut nuk iu përgjigj problemit të mëkatit njëherë e përgjithmonë. Prandaj, Perëndia bëri një besëlidhje të re e të ndryshme me popullin e tij. Në këtë besëlidhje, e përmendur shpesh si besëlidhja e re, Perëndia premton të bëjë një sërë gjërash, dhe të qëndrojë me ne si populli i tij përgjithmonë. Kjo është mënyra se si ai do ta përmbushë premtimin e tij ndaj Abrahamit që ai do të bekonte botën nëpërmjet tij.

1D. Jeremia 31:31-34

31:31 Ja do të vijnë ditët”, thotë Zoti, “në të cilat do të vendos një besëlidhje të re me shtëpinë e Izraelit dhe me shtëpinë e Judës; 31:32 jo si besëlidhja që kam vendosur me etërit e tyre ditën kur i zura për dore për t’i nxjerrë nga vendi i Egjiptit, sepse ata e shkelën besëlidhjen time, ndonëse unë isha Perëndia i tyre”, thotë Zoti. 31:33 “Por kjo është besëlidhja që do të vendos me shtëpinë e Izraelit mbas atyre ditëve”, thotë Zoti: “Do ta shtie ligjin tim në mendjen e tyre dhe do ta shkruaj mbi zemrën e tyre, dhe Unë do të jem Zoti i tyre dhe ata do të jenë populli im. 31:34 Ata nuk do të mësojnë secili të afërmin e tij dhe secili vëllanë e tij, duke thënë: “Njihni Zotin!”, sepse të gjithë do të më njohin, nga më i vogli e deri te më i madhi”, thotë Zoti. “Sepse unë do ta fal paudhësinë e tyre dhe nuk do ta kujtoj më mëkatin e tyre”.

2D. Ezekieli 36:26-27

36:26 Do t’ju jap një zemër të re dhe do të shtie brenda jush një shpirt të ri; do të heq nga mishi juaj zemrën prej guri dhe do t’ju jap zemër prej mishi. 36:27 Do të vë brenda jush Shpirtin tim dhe do të bëj që ju të ecni sipas statuteve të mia, dhe ju do të respektoni dhe do të zbatoni në praktikë dekretet e mia.

5C. Ardhja e Krishtit dhe Derdhja e Frymës në Ditën e Rrëshajave: Përmbushja e Besëlidhjes së Re me një Mënyrë Inaguruese

Dhjata e Re mëson në mënyrë të përsëritur, me anë të deklaratës, aludimit dhe shembullit të qartë, se nëpërmjet Krishtit – Mesia i dalë prej Davidit dhe i vajosur në mënyrë hyjnore – Perëndia ka përmbushur Besëlidhjen e Re të paktën me një mënyrë inaguruese i është përgjiigjur, njëherë e përgjithmonë, problemit të mëkatit të njeriut. Padyshim, ardhja e parë, me vdekjen dhe ringjalljen e Krishtit, përmbush të gjitha kërkesat e nevojshme dhe thelbësore për Dhjatën e Re. Bekimet e premtuara janë institucionalizuar megjithëse realizimi i tyre i plotë pret mijëvjeçarin dhe gjendjen e përjetshme. Ai ka gjetur një bazë të përjetshme mbi të cilën ai na fal mëkatin (d.m.th kryqi dhe ringjallja), shkruan ligjin e tij në zemrën tonë dhe na jep Frymën e Shenjtë në një mënyrë të re dhe të fuqishme; Ai ka gjetur një bazë të përjetshme mbi të cilën ai i bekon njerëzit e tij përgjithmonë. Besëlidhja e re nuk i ul standartet e shenjta të Perëndisë në ndonjë mënyrë, as edhe nuk pakëson për pjesmarrjen tonë në punën e Perëndisë. Përkundrazi, na thërret tek një vend ku ne jemi të falur, të pastruar, të fuqizuar dhe të dërguar me njohurinë e pranisë së tij dhe e punës së tij të vazhdueshme në zemrat e njerëzve të tjerë. Me anë të fuqisë së Frymës ne punojmë bashkë me të në shërbesën e ungjillit dhe e dishepullimit.

1D. Luka 22:15-20

22:20 Po kështu, pas darkës, mori kupën duke thënë: ``Kjo kupë është besëlidhja e re në gjakun tim, që është derdhur për ju.

2D. Veprat 2:1-4, 33

2:1 Kur erdhi dita e Rrëshajëve, ata ishin të gjithë bashkë, në një mendje të vetme, në të njëjtin vend. 2:2 Dhe befas nga qielli erdhi një ushtimë, si ajo e një ere që fryn furishëm, dhe e mbushi gjithë shtëpinë ku ata po rrinin. 2:3 Dhe atyre u dukën gjuhë, si prej zjarri, të cilat ndaheshin dhe zinin vend mbi secilin prej tyre. 2:4 Kështu të gjithë u mbushën me Frymën e Shenjtë dhe filluan të flasin në gjuhë të tjera, ashtu si Fryma e Shenjtë ua jepte të shpreheshin…2:33 Ai, pra, duke qenë i ngritur në të djathtë të Perëndisë dhe duke marrë nga Ati premtimin e Frymës së Shenjtë, ka përhapur atë që ju tani shihni dhe dëgjoni.

6C. Konsumimi (Përfundimi)

Besëlidhja e Abrahamit, Moisiut, Davidit dhe e Re të gjitha të çojnë tek një drejtim: ato konfirmojnë idenë se Perëndia gjithmonë ka dashur një popull për veten e tij, të cilin ai mund ta quante të tijin, ta donte dhe ta bekonte. Nga ana tjetër, populli i tij ka pasur gjithmonë nevojë për të dhe ka dëshiruar ta njohë, ta dojë dhe të kënaqet në Perëndinë e tij gjithmonë. Ky mendim shprehet në të gjithë Shkrimin duke patur si pikë kulmore të realizimit të tij, gjendjen e përjetshme.

1D. Eksodi 19:5-6

19:5 Prandaj, në qoftë se do ta dëgjoni me vëmendje zërin tim dhe zbatoni besëlidhjen time, do të jeni thesari im i veçantë ndërmjet tërë popujve, sepse gjithë toka është imja. 19:6 Dhe do të jeni për mua një mbretëri priftërinjsh dhe një komb i shenjtë. Këto janë fjalët që do t’u thuash bijve të Izraelit”“.

2D. Levitiku 26:12

26:12 Do të eci midis jush dhe do të jem Perëndia juaj, dhe ju do të jeni populli im.

3D. Jeremia 32:38

32:38 Ata do të jenë për mua populli im dhe unë do të jem për ta Perëndia i tyre.

4D. Ezekieli 37:27

37:27 Banesa ime do të jetë pranë tyre; po, po Unë do të jem Perëndia i tyre dhe ata do të jenë populli im.

5D. 2 Korintasve 6:16

6:16 Dhe çfarë marrëveshje ka tempulli i Perëndisë me idhujt? Sepse ju jeni tempulli i Perëndisë së gjallë, sikurse tha Perëndia: ``Unë do të banoj në mes tyre, dhe do të ec ndër ta; do të jem Perëndia i tyre dhe ata do të jenë populli im’’.

6D. Zbulesa 21:3-4

21:3 Dhe dëgjova një zë të madh nga qielli që thoshte: ``Ja tabernakulli i Perëndisë me njerëzit! Dhe ai do të banojë me ta; edhe ata do të jenë populli i tij dhe vetë Perëndia do të jetë bashkë me ta, Perëndi e tyre. 21:4 Dhe Perëndia do të thaijë çdo lot nga sytë e tyre; dhe vdekja nuk do të jetë më; as brengë, as klithma, as mundim, sepse gjërat e mëparshme shkuan’’.

2B. Trupëzimi (Mishërimi) dhe Kryqi: Mbretëria, Dishepullimi në Veprim

Jezu Krishti, personi i dytë i Trinisë, u bë njeri dhe e ngriti çadrën e tij midis nesh (Gjoni 1:14). Perëndia nuk bërtiti nga qielli, por përkundrazi, dërgoi Birin e tij në botë në mënyrë që ai të ishte me ne. Ai isht plot me hir dhe me të vërtetë dhe si i tillë ai na mëson rreth dashurisë për Perëndinë dhe rreth marrëdhënies së duhur me njerëzit. Me të vërtetë, vepra e tij më e madhe e dashurisë ishte kur ai shkoi në kryq për të siguruar shpëtimin tonë. Ai u bë i bindur deri në pikën e vdekjes së tmerrshme në kryq. Pastaj Perëndia e lartësoi atë dhe i dha atij një emër përmbi të gjithë emrat.

Atëherë, Jezusi siguron modelin e përkryer të dishepullimit dhe sfondin e tij përfundimtar teologjik: bindje dhe shërbesë me përulësi që pasohet nga lartësimi. Vër re rendin; në fillim, shërbim flijues, pastaj lartësim i përjetshëm. Nuk është anasjelltas. Prandaj, dishepullimi ka të bëjë vetëm me dashurinë për Perëndinë dhe dashurinë për njerëzit: duke dashur dhe duke i shërbyer Perëndisë nëpërmjet dashurisë dhe shërbesës sakrifikuese për njerëzit. Dishepulluesi ka një zemër shërbëtori sepse kjo është ajo çka ai/ajo është në të vërtetë!

1C. Gjoni 1:14-18 – Jezusi: Perëndia po Banon në Popullin e Tij

1:14 Dhe Fjala u bë mish dhe banoi ndër ne; dhe ne soditëm lavdinë e tij, si lavdia e të vetëmlindurit prej Atit, plot hir e të vërtetë. 1:15 Gjoni dëshmoi për të dhe thirri duke thënë: ``Ky është ai, për të cilin thashë: “Ai që vjen pas meje më ka paraprirë, sepse ishte përpara meje”‘‘. 1:16 Dhe ne të gjithë morëm, prej mbushullisë së tij, hir mbi hir. 1:17 Sepse Ligji u dha nëpërmjet Moisiut, por hiri dhe e vërteta erdhën nëpërmjet Jezu Krishtit. 1:18 Askush s’e pa Perëndinë kurrë; i vetëmlinduri Bir, që është në gjirin e t’Et, është ai që e ka bërë të njohur.

2C. Filipianëve 2:5-10—Shembulli i Dishepullimit

2:5 i cili, edhe pse ishte në trajtë Perëndie, nuk e çmoi si një gjë ku të mbahej fort për të qenë barabar me Perëndinë, 2:6 por e zbrazi veten e tij, duke marrë trajtë shërbëtori, e u bë i ngjashëm me njerëzit; 2:7 dhe duke u gjetur nga pamja e jashtme posi njeri, e përuli vetveten duke u bërë i bindur deri në vdekje, deri në vdekje të kryqit. 2:8 Prandaj edhe Perëndia e lartësoi madhërisht dhe i dha një emër që është përmbi çdo emër, 2:9 që në emër të Jezusit të përkulet çdo gju i krijesave (ose gjërave) qiellore, tokësore dhe nëntokësore, 2:10 dhe çdo gjuhë të rrëfejë se Jezu Krishti është Zot, për lavdi të Perëndisë Atë.

3B. Perëndia ynë Triun dhe Porosia e Madhe

Në dritën e zbulesës së Dhjatës së Re, tani e dimë se ishte Perëndia Triun i cili po punonte në jetën e Abrahamit, duke i premtuar bekim deri në skajet e tokës. Ne e dimë se ishte Ai i cili zgjodhi Davidin si mbretin e Tij dhe mjetin nëpërmjet të cilit Ai do ta bekonte popullin e tij. Gjithashtu e dimë se ishte Ai i cili premtoi Frymën si Ai i cili do ta ripërtërinte popullin e Tij, shenjtëronte atë dhe ta pajiste për t’i shërbyer Atij. Gjatë gjithë kësaj kohe ka qenë komuniteti hyjnor i cili ka punuar për planin e Tij për botën. Dhe tani edhe ne gjithashtu jemi thirrur për ta njohur Atin, nëpërmjet Birin, me anë të punës shenjtëruese të Frymës. Perëndia i cili premton të bekojë skajet e tokës është një Trini dhe ne kemi filluar ta njohim atë si të tillë. Dhe është në emrin e Tij trinitarian që ne jemi porositur për të shkuar dhe për të qenë instrumentet e Tij për përmbushjen e planit të tij të bekimit d.m.th, Porosia e Madhe (Mateu 28:19-20). Ne bëjmë dishepuj “në emër të Atit, të Birit dhe të Frymës së Shenjtë.” Pra ne dërgohemi për të themeluar një komunitet në tokë sipas modelit të komunitetit hyjnor në qiell.

IIA. Përmbledhje

Në leksionin e parë ne u përqëndruam për të kuptuar atë që donte të thoshte termi “dishepull” dhe se si lidhet – me anë të një lloj hyrjeje – me të qenit një dishepull i Krishtit. Por kur Krishti urdhëroi dishepullim nga ndjekësit e tij, ashtu siç e bën edhe sot, kjo të ndihmon për të kuptuar kontekstin e gjerë teologjik në të cilin ai e shpreh këtë urdhër. Është ndihmuese për ta ditur se si vepra e Perëndisë sot lidhet me atë që ai ka bërë më përpara dhe që do të bëjë në të ardhmen.Ne pamë që dishepullimi, ashtu si edhe plani i Perëndisë për kishën, është mënyra që ai ka paracaktuar për të sjellë bekimin mbi botën që ia premtoi Abrahamit. Ai na ka dhënë një mbret të përhershëm te Zoti Jezus i cili na ka dhënë Frymën. Nëpërmjet Frymës ne transformohemi në shëmbëlltyrën e Krishtit, rritemi në përkushtimin ndaj dishepullimit personal, dhe fuqizohemi për të dashur, shërbyer dhe dishepulluar të tjerët – madje edhe kombet.Pra të kuptuarit e kontekstit të gjerë teologjik do të forcojë përkushtimin personal ndaj dishepullimit dhe të dishepulluarit të të tjerëve. Pra do të përparosh me mirëbesim përulës, duke e ditur se je pikërisht në mesin e planit dhe vullnetit të Perëndisë për jetën tënde dhe botën. Dhe, të studiuarit e sfondit teologjik për thirrjen e Krishtit për të bërë dishepuj nga të gjitha kombet të ndihmon për ta kuptuar më mirë Biblën, se si lidhet ai me shërbesën tënde dhe si t’ia mësosh të tjerëve atë.Mbaj mend, plani i Perëndisë për bekimin e botës është përmbledhur në sigurimin e një populli për vete. Ndërsa shkon dhe u shërben të tjerëve ti kontribuon në planet e Tij për të bekuar botën dhe thërrisni nga errësira një popull për veten e tij.

IIIA. Pyetje për t’u Menduar

1. Cilat ishin katër besëlidhjet biblike që ne pamë në këtë mësim? Si lidhen besëlidhja e Davidit dhe e Re me besëlidhjen e Abrahamit?

2. Si lidhet besëlidhja e Moisiut me tre besëlidhjet e tjera?

3. Në lidhje me këto besëlidhje, cila është një temë që shpaloset nëpër të gjithë Shkrimin?

4. Si lidhet Porosia e Madhe me secilën nga këto besëlidhje?

5. Si përshtatet trupëzimi dhe kryqi me këto besëlidhje që kemi studiuar dhe si lidhet me dishepullimin?

6. Si të ka ndihmuar studimi i planit të Perëndisë nëpër të gjithë Shkrimin në lidhje me përkushtimin personal ndaj Krishtit në dishepullim? Në përkushtim tënd për të dishepulluar të tjerët?

Related Topics: Discipleship