MENU

Where the world comes to study the Bible

5. Kuptimi i Kontekstit të Marrëdhënies në Dishepullimin Biblik

Në leksionin e parë ne përcaktuam se ç’do të thotë të jesh një dishepull i Krishtit. Ne zbuluam se ideja e dishepullimit përfshin si kontekstin teologjik, ashtu edhe kontekstin e marrëdhënieve. Kështu që, në leksionin dy, ne eksploruam kontekstin e gjerë teologjik e biblik mbi mandatin e Krishtit për të bërë dishepuj. Ne mësuam se që nga fillimi fare plani i Perëndisë ka qenë të sigurojë një popull për veten e tij e t’i rikrijojë ata në imazhin e Krishtit. Sipas premtimeve të tij, ai ka bërë pikërisht këtë dhe vazhdon të bëjë po këtë edhe sot. Ndërsa dishepullojmë njerëz, ne marrim pjese në planin e tij të madh. Por ka edhe një kontekst tjetër ku duhet parë për këtë proces dishepullimi e dishepullbërjeje. Ky është konteksti i marrëdhënieve. Dua të vë theksin tek marrëdhëniet pasi këto neglizhohen shumë shpesh në favor të shtytjes drejt kërkesave legjitime të dishepullimit. Kur ne u vëmë theksin kërkesave të dishepullimit duke i larguar nga marrëdhëniet e mira, ne shpesh e kthejmë këtë në asgjë më tepër përveçse në një përpjekje njerëzore dhe ndjekje rregullash. Konteksti teologjik na jep një pamje në mendje mbi punën e Perëndisë, ndërkohë që konteksti i marrëdhënieve zbulon orientimin personal të dishepullimit. Krishterimi nuk është kryesisht një etikë, por një marrëdhënie—një marrëdhënie me Perëndinë e me njerëzit tanë.

IA. Konteksti i Marrëdhënies: Urdhërimet më të Mëdha

1B. Urdhërimet më të Mëdha

Marku 12:28 Atëherë një nga skribët që e kishte dëgjuar diskutimin e tyre, duke kuptuar se ai u ishte përgjigjur mirë, iu afrua dhe e pyeti: ``Cili është i pari i të gjithë urdhërimeve?’’. 12:29 Dhe Jezusi u përgjigj: ``Urdhërimi i parë i të gjithëve është: “Dëgjo, o Izrael: Zoti, Perëndia ynë, është i vetmi Zot”, 12:30 dhe: “Duaje Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd, me gjithë mendjen tënde e me gjithë forcën tënde!”. Ky është i pari urdhërim. 12:31 Dhe i dyti i ngjan këtij: “Duaje të afërmin tënd porsi vetveten”. Nuk ka urdhërim tjetër më të madh se këta’’.

2B. Dishepullimi dhe Dashuria për Perëndinë

Ne kemi parë në leksionin një se dishepullimi i krishterë përfshin idenë e përkushtimit të plotë e të parezervuar ndaj Perëndisë, vullnetit të tij, punës dhe rrugëve të tij. Kjo, sigurisht është në harmoni me urdhërimin e Madh të duash Perëndinë me gjithë zemrën, shpirtin, mendjen dhe fuqinë tonë. Ne duhet ta vendosim dishepullimin së bashku me urdhërimin më të madh për ta dashur Perëndinë me të gjithë zemrën tonë, qenien, mendjen e fuqinë. Ato janë identike në thelb. Dishepullimi është një çështje marrëdhënieje, që nga fillimi e deri në fund. Nuk është një përkushtim stoik, apo një përkushtim thjesht ndaj një etike, pavarësisht se sa i lartë apo sublim qoftë ai. Së pari, ne kemi nevojë të përjetojmë Krishtin, të banojmë në Të vazhdimisht e t’u mësojmë dishepujve tanë se kjo është thelbi i jetës së krishterë. Në këtë mënyrë ata do të jenë disi më të lirë që të jenë në një marrëdhënie më të shëndetshme me ty—si dishepullues; aty do të ketë varësi të ndërsjelltë dhe jo bashkëvarësi . Kjo më drejton tek urdhëresa e dytë e që lidhet më shumë me këtë.

3B. Dishepullimi, Njerëz të Ndryshëm, dhe Dashuria për të Afërmin

Urdhëresa e dytë është e lidhur nga ana gjuhësore me të parën përmes përdorimit të termit “dashuri.” Si nocion, gjithsesi, e para logjikisht lind të dytën kur kuptohet dhe i bindesh ashtu siç duhet; ata që e duan Perëndinë e duan edhe të afërmin e tyre. Ti s’mund të deklarosh se e do Perëndinë e në të njëjtën kohë urren të afërmin tënd. Edhe Gjoni i lidh të dy urdhëresat. Ai thotë, “Sepse ai që nuk do vëllanë e vet të cilin e sheh, si mund të dojë Perëndinë që nuk e sheh” (1 Gjonit 4:20). Por disa herë është e vështirë t’i duash njerëzit, sidomos kur ata në një farë mënyre janë të ndryshëm nga ne. Domethënia e të qenit njeri s’ka ndryshuar asnjëherë dhe është e njëjtë për të gjithë qeniet njerëzore që kanë jetuar ndonjëherë. Por, ndërsa njerëzit janë kryesisht të njëjtë, ata ndryshojnë në shumë mënyra në lidhje me shijet, zakonet, idetë, trajtimin e problemeve, prirjet, prejardhjet, njohurinë, etj. Dishepulluesi duhet t’i vlerësojë të gjitha këto, duke kuptuar se Perëndia e ka thirrur atë të dojë të gjithë njerëzit e t’u lejojë ndryshimet e përligjura.

Prandaj, qëllimi në dishepullim nuk është uniformizmi, por më tepër konformizmi me imazhin e Krishtit. Ai përfshin një diversitet të gjallë e të shpenguar, e jo një njëllojshmëri të vdekur monolite. Ungjilli nuk kufizon, për veten; ai i liron njerëzit të ndjejnë, të mendojnë e të veprojnë përgjatë vijave të ngjashme me Krishtin. Ashtu siç ka diversitet dhe unitet në Trini, kështu duhet të ketë diversitet dhe unitet midis atyre që deklarojnë se i përkasin Perëndisë. Të lutem vlerësoje këtë, por mos mendo se për shkak se njerëzit janë të ndryshëm në lloj lloj mënyrash, disa mund të dishepullohen e disa jo. Të gjithë mundet dhe duhet të dishepullohen.

1C. Marrëdhëniet me Vëllezërit e Motrat në Komunietin e Krishterë
1D. Kërkoni Unitetin—Efesianëve 4:1-6

4:1 Unë, pra, i burgosuri për Zotin, ju bëj thirrje që të ecni denjësisht sipas thirrjes për të cilën u thirrët, 4:2 me çdo përulësi e zemërbutësi, me durim, duke e duruar njëri-tjetrin në dashuri, 4:3 duke u përpjekur të ruani unitetin e Frymës në lidhjen e paqes. 4:4 Éshtë një trup i vetëm dhe një Frym i vetëm, sikurse ju u thirrët në shpresën e vetme të thirrjes suaj. 4:5 Éshtë një Zot i vetëm, një besim i vetëm, një pagëzim i vetëm, 4:6 një Perëndi i vetëm dhe Atë i të gjithëve, që është përmbi të gjithë, në mes të të gjithëve dhe në ju të gjithë.

Në letrën për efesianët apostulli ka ndër mend jo vetëm kishën në Efes, por kishën në botën mbarë, apo kishën universale. Ai mendon për kishat në Romë, përgjatë Azisë së Vogël, Palestinës, etj, sikur përbënin një kishë, e jo si shumë kisha të ndryshme.

Një dishepullbërës i mirë përulësisht pranon se ai është pjesë e trupit të Krishtit. Ai përpiqet të mbajë unitet në trup dhe inkurajon dishepujt e tij për këtë qëllim. Ai nuk është i mënjanuar, diku në ndonjë cep, “duke bërë punën e tij” e duke kritikuar pjesën tjetër të trupit. Përkundrazi, ai kërkon të jetojë në unitetin e prodhuar nga Fryma. Ai përpiqet të zhvillojë dishepuj të cilët kontribuojnë në unitetin, paqen dhe rritjen e trupit në vend që të zhvillojë nga ata të cilët do ta bëjnë copë-copë atë (trupin shën.i.përkth). Nuk ka vend për konkurimin dashakeq në procesin e bërjes së dishepujve.

2D. Festoni Diversitetin (Larminë)—Efesianëve 4:7

4:7 Po secilit nga ne iu dha hiri sipas masës së dhuntisë së Krishtit… 4:11 Dhe ai vetë i dha disa si apostuj, të tjerë si profetë, të tjerë si ungjilltarë dhe të tjerë si barinj e mësues, 4:12 për përsosjen e shenjtorëve, për veprën e shërbimit dhe për ndërtimin e trupit të Krishtit,

Në mes të përpjekjes për unitet e paqe në trupin e Krishtit, vjen nevoja përkatëse për të pranuar ndryshimet e natyrshme e të mbështetura nga Fryma që ekzistojnë midis njerëzve të Perëndisë. Të krishterët palestinezë kishin një paraqitje tjetër të jashtme nga ajo e të krishterëve aziatikë. Kjo dallohet në leximin e faqeve të Dhjatës së re (shiko Veprat 15). Ne duhet të kuptojmë se njerëzit janë të ndryshëm dhe vijnë në një tavolinë me perspektiva të ndryshme. Dikush me dhuntinë e mëshirës që dishepullon një tjetër me dhuntinë e administrimit do të ketë nevojë të kuptojë e të çmojë ndryshimet nëse duan të jenë të suksesshëm së bashku. Kjo natyrisht, nuk do të thotë të mos e vëmë re mëkatin e dukshëm apo të qartë, por dhuntitë e njerëzve, temperamentet dhe aftësitë e tyre, të gjitha ndikojnë në mësimin e tyre të dishepullimit. Jepuni atyre hapësirë që të rriten.

3D. Festoni Diversitetin—1 Korintasve 12:4-7, 11

12:4 Ka larmi dhuntish, por i njëjti Frymë. 12:5 Ka edhe larmi shërbimësh, por i njëjti Zot. 12:6 Dhe ka larmi veprimtarish por është i njejti Perëndi i cili i bën të gjitha gjërat në të gjithë. 12:7 Dhe secilit i jepet shfaqja e Frymës për dobinë e përbashkët… 12:11 Dhe të gjitha këto i bën i njëjti dhe i vetmi Frymë, duke i ndarë gjithsecilit dhunti veç e veç ashtu si do vetë.

Ne do të flasim më vonë për marrëdhënien e dhuntive me dishepullimin, por sërish, është e mjaftushme që të thuash se njerëzit dhe dhuntitë e tyre të dhëna nga Fryma vijnë në të gjitha format e madhësitë. Por është e rëndësishme të vëmë re se dhuntia (dhuntitë) e personit i janë dhënë prej Frymës për të mirën e përbashkët. Nëse ne e vlerësojmë këtë apo jo, Fryma u ka dhënë atyre dhunti për të mirën tonë. Ne kemi nevojë ta mbajmë mend këtë. Pra, ashtu siç ka diversitet në Trini, kështu do të ketë diversitet në çdo komunitet që ai themelon. Por kjo është për rritjen e komunitetit.

4D. Dymbëdhjetë Apostujt

Jezusi zgjodhi dymbëdhjetë burra shumë të ndryshëm. Vras mendjen se si Mateu dhe Simoni mund të shkonin mirë me njëri-tjetrin? I pari ishte një taksambledhës, i fundit ishte ndoshta një zelot. Pjetri ishte kokëfortë e i guximshëm. Thomai ndoshta ishte i fortë ndonjëherë, por mund të ishte shumë i rezervuar e dyshues. Disa, si Jakobi e Tadeusi, ndoshta i acaronin prirjet e pandreqshme të Pjetrit me atë dëshirën e tyre për t’u tërhequr në prapaskenë e me sa duket të bënin pak. E ja ku ishte Juda, mashtrimi dhelparak i të cilit lejoi lakminë e tij të pangopur që të rritej pa u vënë re nga asnjeri (përveç Jezusit) deri në fund fare. Përveç kësaj, në ungjillin e Markut, dishepujt nuk janë pasqyruar në një dritë të favorshme, duke mos kuptuar asnjëherë me të vërtetë se kush ishte Jezusi. Më e pakta që mund të thuash është se ata ishin një grup i ndryshëm e i vështirë. E megjithatë Jezusi mund t’i mblidhte ata së bashku për shërbesë.

2C. Marrëdhëniet me Njerëz në një Komunitet më të Madh Jo-të Krishterë.

Jezusi thirri dymbëdhjetë burra të vinin e ta ndiqnin atë. Ai u premtoi se ai do t’i bënte ata “peshkatarë njerëzish.” Pra, thirrja në jetën e tyre u jetua realisht në kontekstin e një misioni për të humburit. Dishepullimi ynë për njerëzit e tjerë duhet të bëhet gjithashtu në kontekstin e një shërbese për të humburit. Ne duhet t’i ndihmojmë njerëzit tanë të jetojnë si drita në një botë të errët—të drejtë e të dashur në një botë të shëmtuar—e si ata që janë të përkushtuar për të manifestuar lavdinë e Atit të tyre në qiell, prej këmbënguljes në vepra. Përgjithësisht, dhe këtu ekzistojnë edhe përjashtime, dishepujt tanë duhet të mbajnë marrëdhëniet e tyre me njerëz që nuk e njohin Zotin me shpresën se do t’i drejtojnë ata tek Krishti.

1D. Mateu 4:19

“Ndiqmëni dhe unë do t’ju bëj peshkatarë njerëzish”.

2D. Mateu 5:13-16

5:13 ``Ju jeni kripa e tokës; por në qoftë se kripa bëhet e amësht, me se mund ta rifitojë shijen? Nuk vlen për asgjë, veçse për t’u hedhur dhe ta shkelin njerëzit. 5:14 Ju jeni drita e botës; një qytet i ngritur në majë të malit nuk mund të fshihet. 5:15 Po ashtu nuk ndizet një qiri për ta vënë nën babunë, por për ta vënë mbi shandan, dhe t’u bëjë dritë të gjithë atyre që janë në shtëpi. 5:16 Ashtu le të shndritë drita juaj para njerëzve, që të shohin veprat tuaja të mira dhe ta lëvdojnë Atin tuaj që është në qiej’’.

3D. Kolosianëve 4:5-6

4:5 Ecni me urti ndaj të jashtmëve duke shfrytëzuar kohën. 4:6 Të folurit tuaj të jetë gjithnjë me hir, i ndrequr me kripë, që të dini si duhet t’i përgjigjeni gjithsecilit.

4D. Titit 3:8

Kjo fjalë është e sigurt, dhe dua që ti të pohosh me forcë këto gjëra, që ata që kanë besuar në Perëndinë të kujdesen për të kryer vepra të mira. Këto gjëra janë të mira dhe të dobishme për njerëzit.

IIA. Përmbledhje

Kështu dishepullimi përfshin të qenint në mënyrë të parezervuar i përkushtuar ndaj Krishtit. Ai jetohet realisht në kontekstin e një marrëdhënieje me Perëndinë e me njerëzit që kemi pranë. Të kuptuarit e kësaj, është çelësi i rritjes si një dishepull e i dishepullimit të të tjerëve gjithashtu. Procesi i dishepullimit nuk është si të bësh hamburger tek MekDonalds (McDonalds); ne nuk po përpiqemi t’i bëjmë të gjithë njerëzit njësoj. Përkundrazi, ne vlerësojmë e çmojmë ndryshimet që njerëzit sjellin në këtë proces e festojmë unikalitetin që Perëndia ka paracaktuar. Duke thënë këtë, sidoqoftë, ne s’po inkurajojmë zakone të mëkatshme të cilat në mënyrë të qartë dhunojnë standartin e shenjtërisë që është vendosur për ne në Fjalën e Tij. Por në vend të kësaj, ne jemi duke u përpjekur të prodhojmë një unitet të vërtetë në një kontekst të një diversiteti të pasur e të nevojshëm.

Ne do të përpiqemi ta kujtojmë herë pas here këtë parim gjatë gjithë pjesës tjetër të këtij kursi; ne do ta mbajmë materialin që vijon të orientuar nga marrëdhënia. Marrëdhëniet janë thelbësore. Ato janë ambienti ku ndodh e gjithë përgatitja formale e një dishepulli tjetër. Nëse marrëdhëniet janë të sforcuara, efektshmëria jote si dishepullues është e minimizuar.

IIIA. Pyetje për t’u Menduar

1. Përse kur flasim për dishepullimin dhe dishepullimin e dikujt tjetër është e rëndësishme që të kemi parasysh prioritetin e marrëdhënieve mbi detyrat, pavarësisht se sa të dobishme e të nevojshme janë detyrat? Në çfarë pike vendos se një detyrë duhe të kryhet pavarësisht nga miratimi apo mosmiratimi i tjetrit?

2. Si do t’a(t’I) trajtosh dishepullin(dishepujt) tënd(e tu) kur ai/ata bën/bëjnë disa gjëra që të irritojnë apo nuk bën/bëjnë gjëra të caktuara që ti ua ke mësuar apo sipas mënyrës në të cilën ti mendon se duhen bërë (p.sh. lutja)?

3. Merr pak kohë të meditosh mbi Efesianëve 4:1-6 dhe 1 Korintasve 12:4-7. Cilat janë disa nga parimet që Zoti t’i ka ngulitur në mendje ndërkohë që ti studion këto vargje të rëndësishme?

4. Kur ne mendojmë mbi dishepullimin, ne shpesh mendojmë kryesisht mbi një person që ndihmon dikë tjetër. Dhe kjo është e mirë. Por, sipas Efesianëve 4:1-6 dhe 1 Korintasve 12:4-7, cili është konteksti më i gjerë në të cilin ne përjetojmë dishepullimin? Sa i rëndësishëm është ky kontekst më i gjerë? (shiko. 2 Timoteut 2:2)

5. Sa e rëndësishme është sipas mendimit tënd që dishepujt e tu të kenë vazhdimisht marrëdhënie të mira me pjesën tjetër të trupit të Krishtit? Si do t’i ndihmosh ata nëse po përleshen në marrëdhëniet e tyre me të krishterët e tjerë?

6. Dishepullimi nuk kërkon vetëm marrëdhënie me të krishterët në kishë, por gjithashtu të krishterë që kanë marrëdhënie me ata që janë në botë (Ne do të flasim më shumë për marëdhënien e të krishterëve me botën në leksionet pasuese). Sipas Mateut 5:16 dhe Titit 3:8 cili është çelësi në marrëdhëniet tona me miqtë tanë në botë?

7. Sipas Mateut 5:13-15, ç’do të thotë të jesh kripa e tokës? Drita e botës?

8. Tek Kolosianëve 4:5-6 Pali flet për marrëdhënien me ata që janë në botë. Si mendon ti, çfarë do të thotë të sillesh me urti ndaj të jashtëmve? Për të përfituar maksimumin e çdo mundësie? Përse të folurit tonë është kaq i rëndësishëm?

Related Topics: Discipleship

Report Inappropriate Ad